Arsenali ka arritur ta fitojë ndeshjen e parë ndaj Milanit duke mposhtur Rossonerët në San Siro 2-0.
Para fillimit të ndeshjes dy skuadrat mbajtën një minutë heshtje për vdekjen e ish-mbrojtësit italian Davide Astori.
Ndeshja nisi furishëm me Milanin që në start kërkoi golin e epërsisë.
Rossonerët rrezikuan tri herë brenda tre minutave të para me Calhanoglun, Cutronen e Suson por pa sukses.
Të rrezikshëm u treguan edhe mysafirët me Ramseyn e Mkhitaryanin që goditën por që nuk u mposht Donnaruma.
Ky i fundit u detyrua ta nxjerrë topin nga rrjeta në minutën e 16’ për herë të parë në këtë sfidë.
Mesut Ozil shërbeu bukur mesfushorin armen Mkhitaryan i cili me një goditje të fuqishme shënoi për 0-1.
Milani vazhdoi të atakonte portën e mysafirëve për të kërkuar golin e barazimit por një gjëje të tillë nuk ia arritën.
Ata të cilët shënuan përsëri ishin mysafirët në minutën e fundit të pjesës së parë.
Mesut Ozil përsëri asistoi por kësaj radhe për Aaron Ramseyn i cili pasi kaloi edhe portierin vendas shënoi për 0-2.
Me epërsinë e dy golave për Arsenalin përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Trajneri i vendasve, Genaro Gatusso bëri zëvendësime në pjesën e dytë duke futur dy sulmues, Kalinic dhe Andre Silva në vend të Cutrones dhe Calhanoglus.
Por duket se Milanit nuk i mjaftuan as dyshja e sulmit të inkuadruar në pjesën e dytë për të ndryshuar gjërat në fushë.
Deri në fund të dyja skuadrat kishin disa gjysmë raste shënimi por që rezultati mbeti ai i pjesës së parë 0-2.
Kësisoj Arsenali ka bërë një hap të madh drejt kalimit në çerekfinale të Ligës së Evropës pas kësaj fitore në udhëtim.
Ndeshja e ardhshme pritet të zhvillohet në ‘Emirates Stadium’ në Londër një javë më vonë me fillim nga ora 21:00. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=JOUTt0mcSQU
https://www.youtube.com/watch?v=5vnQFZ2DYTc