Telegrafi

Arsenali tregohet i pamëshirshëm ndaj Sheffieldit dhe merr një fitore tenistike

Arsenal ka marrë një fitore jashtëzakonisht të thellë me rezultat 6-0 në udhëtim ndaj Sheffield United në kuadër të xhiros së 27-të të Ligës Premier.

Që nga fillimi i ndeshjes “Topçinjtë” treguan forcën e tyre, duke mos e vënë në dyshim aspak fitoren.

Në hapësirën e një minuti ata shpërdoruan dy raste të mira shënimi me Bukayo Saka dhe Gabriel Martinelli. Pas këtyre dy rasteve, filloi edhe ‘festivali’ i golave ku pesë prej tyre u shënuan vetëm në pjesën e parë.

Martin Odegaard (5’) shënoi për 1-0, më pas epërsia e Arsenalit u dyfishua kur Jayden Bogle (13’) shënoi autogol për 2-0. Për rezultatin 3-0 u përkujdes Gabriel Martinelli (15’) falë edhe devijimit të topit nga mbrojtësi kundërshtar.

Londinezët nuk e kishin ndërmend të ndalen dhe shënuan përsëri me anë të Kai Havertz (25’) për 4-0 dhe me Declan Rice (39’) për 5-0.

Në pjesën e dytë duke marrë parasysh epërsinë e thellë të krijuar në pjesën e parë ra ritmi i lojës, ndonëse Arsenali shënoi edhe një gol tjetër.

Ben White (58’) pas asistimit të Kai Havertz shënoi për 6-0, që në fund doli të jetë edhe rezultati përfundimtar i takimit.

Arsenali tani ka shkuar në kuotën e 61 pikëve dhe gjendet në pozitën e tretë, me dy pikë më pak se lideri Liverpooli që ka 63 sosh./Telegrafi/