Youri Tielemans pritet të jetë ndër futbollistët e parë që do të largohet nga Leicester City në fund të këtij sezoni.
Mesfushori belg ka kontratë me klubin anglez deri në verën e vitit 2023 dhe nuk ka pranuar rinovimin, përkundër insistimit nga ‘Dhelprat’.
Real Madrid, Juventus, Chelsea dhe Arsenal janë skuadrat që kanë shfaqur interesim për transferimin e ish-anëtarit të Monacos dhe Anderlechtit.
Por sipas asaj që ka raportuar The Sun, Arsenali është skuadra favorite për t’i siguruar shërbimet e belgut, pasi tanimë kanë nisur bisedimet me drejtuesit e Leicesterit dhe kanë gati një ofertë prej 45 milionë eurove.
Tielemans ka vendosur përfundimisht të largohet nga ‘Dhelprat’ pasi dëshiron ta bëjë një hap para në karrierën e tij dhe mirëpret interesimin e ‘Topçinjve’.
25-vjeçari ka pasur një vit mjaftë të mirë me Leicesterin, ku në 46 ndeshje zyrtare ka shënuar shtatë gola dhe ka asistuar në katër të tjerë. /Telegrafi/