Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, është duke tentuar ta përforcojë mbrojtjen gjatë këtij afati kalimtar, pas dështimit në këtë sezon që shkoi për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.
Mbrojtësit e Arsenalit në këtë sezon kanë pasur performanca zhgënjyese. Shkodran Mustafi, Sokratis Papastathopoulos, Laurent Koscielny dhe Rob Holding, lanë shumë për të dëshiruar.
Emery e di se skuadrës londineze i duhen mbrojtës më cilësorë për sezonin e ri, në mënyrë që ta rivalizojë Manchester Cityn dhe Liverpoolin për titull.
Duke parë që rivalët nga Liga Premier janë përforcuar dukshëm në afatet e kaluara, trajneri spanjoll dëshiron ta transferojë Kostas Manolas nga Roma. Mbrojtësi grek ka kohë që është duke u lidhur me një kalim te Manchester Unitedi, por Djajtë e Kuq kanë hequr dorë nga shërbimet e tij.
Manolas ka kontratë me Romën deri në vitin 2022, ndërsa klauzola e tij është 35 milionë euro. Arsenali është i gatshëm që ta paguajë shumën e kërkuar nga romakët, për ta transferuar në Emirates. /Telegrafi/