Gjiganti anglez, Arsenali po përgatit një ofertë të re për talentin francez të Monaco, Thomas Lemar.
Lemar vazhdon të mbetet një objektiv madhor për trajnerin e Topçinjve, Arsene Wenger, i cili bëri disa oferta drejt tij gjatë verës.
Asnjëra nga to nuk u pranua nga skuadra franceze dhe Lemar vazhdon të mbetet te Monaco.
Megjithatë, skuadra nga Emirates nuk është dorëzuar dhe mendon të kthehet gjatë afatit kalimtar ta janarit me një ofertë për mesfushorin francez.
Sipas tabloidit britanik Daily Mail, oferta e re e Topçinjve do të jetë shumë më e ulët se ajo e 90 milionë funteve apo 100 milionë eurove që u ofruan në muajin gusht.
Arsenali ofroi plot 90 milionë funte për Lemar në javën e fundit të afatit kalimtar veror, pasi në rast transferimi do ndodhte edhe lëvizja e Alexis Sanchezit për 60 milionë funte në Manchester City.
Arsenali nuk do të kthehet në atë shifër të fryrë për Lemar pasi oferta e tyre u mbështet nga paratë e mëdha që City do të kishte paguar për Sanchezin.
Që nga vera, Lemar ka luftuar për të ri-gjetur formën e tij të sezonit të kaluar, por që ka dështuar edhe shkaku i lëndimeve dhe në thelb, lojtari tani thuhet se është i hapur për këtë transferim. /Telegrafi/