Klubi londinez, Arsenali po përgatit një ofertë për sulmuesin e rivalëve të Manchester United, Marcus Rashford, pasi synon transferimin e tij në verë.
Topçinjtë janë në treg për një sulmues të vijës së parë dhe tashmë kanë etiketuar disa emra të mundshëm për t’i transferuar në afatin e ardhshëm kalimtar.
Mikel Arteta ka nevojë për një sulmues të njohur pasi Pierre-Emerick Aubameyang u largua nga Emirates për t’u transferuar në janar te Barcelona.
Si Alexandre Lacazette, ashtu edhe Eddie Nketiah janë aktualisht në muajt e fundit të kontratave, duke e lënë spanjollin me pak opsione në sulm.
Sipas mediumit britanik The Mirror, Arsenali ka shtuar emrin e sulmuesit të Unitedit, Rashford, në listën e tyre të dëshirave.
Klubi nga Emirates thuhet se po përgatit ofertën për ta transferuar Rashfordin në verë.
Rashford ka bërë vetëm nëntë ndeshje si titullar në Ligën Premier këtë sezon dhe ka shënuar vetëm pesë gola në të gjitha garat.
Por, nëse Arsenali mund të sigurojë futbollin e Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm, i ofron lojtarit mundësinë për të nisur një karrierë ‘të re’ pas rënies në 12 muajt e fundit. /Telegrafi/