Klubi anglez, Arsenali thuhet se nuk do të shqyrtojë ofertat për ish-kapitenin e tyre, Pierre-Emerick Aubameyang, në afatin kalimtar të janarit.
Aubameyang është stërvitur vetëm që kur u kthye me vonesë nga një udhëtim në Francë për të vizituar nënën e tij, vonesë e cila ishte sanksionuar nga klubi.
Ai nuk ka gjasa të përfshihet në dy ndeshjet e tyre të fundit të vitit në Ligën Premier kundër Norwich dhe Wolves përpara se të fluturojë në Kamerun me skuadrën e Gabonit.
Por, trajneri Mikel Arteta thuhet se nuk e ka ndërmend të lejojë lojtarin të largohet.
Sipas mediumit The Sun, Arsenali nuk po planifikon ta shesë atë në janar dhe të dobësojë skuadrën e tyre për gjysmën e dytë vendimtare të sezonit.
Me Arsenalin në vendin e katërt në tabelë dhe me një shans real për të siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve për herë të parë që nga viti 2017, Arteta dëshiron të ketë të gjithë lojtarët në dispozicion deri në fund të sezonit 2021/22.
Lejimi i Aubameyangut për t’u larguar pa siguruar një tjetër sulmues do t’i linte ata pa alternativ në rast të një dëmtimi të Alexandre Lacazette. /Telegrafi/