Site icon Telegrafi

Arsenali merr një fitore komode në udhëtim ndaj Wolves, bëhet përkohësisht lider i tabelës

Arsenali ka shënuar fitore me rezultat 2-0 në udhëtim ndaj Wolves, në kuadër të javës së 34-të në elitën e futbollit anglez.

Në pjesën e parë të dyja ekipet patën nga një rast të mirë shënimi, mirëpo eventualisht ‘Topçinjtë’ arritën që të gjejnë golin e epërsisë, që në fund doli të ishte i fitores.

Fillimisht Declan Rice (20’) rrezikoi për herë të parë portën e Wolves, por gjuajtja e tij shkoi afër shtyllës së majtë të portierit vendas.

Joao Gomes (30’) pati një mundësi të artë shënimi, por gjuajtjen e tij me shumë mund e priti David Raya duke mos lejuar që të mposhtej.

Në minutën e 45-të, Gabriel Jesus e gjeti veten në një pozitë të mirë shënimi por nuk u tregua egoist dhe pasoi topin tek Leandro Trossard i cili shënoi për rezultatin 1-0.

Pak çaste para se të përfundojë takimi në skenë doli Martin Odegaard (95’) i cili realizoi për rezultatin 2-0.

Arsenal tani ka marrë përkohësisht kreun e tabelës duke udhëhequr me 74 pikë të grumbulluara, një më shumë se Manchester City në vendin e dytë që ka 73 sosh, por me një ndeshje më pak./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

 

Exit mobile version