Site icon Telegrafi

Arsenali ia shkakton humbjen e parë Solskjaerit në Ligën Premier si trajner i Unitedit, Xhaka protagonist

Festa pas golit të Granit Xhakas ndaj Man Utd (Foto: Catherine Ivill/Getty Images/Guliver)

Arsenali ka arritur fitore ndaj Manchester Unitedit në Ligën Premier me rezultat 2-0.

Ishte një ndeshje e mirë dhe me raste nga të dy anët, por ishin Topçinjtë skuadra me fat.

Man Utd e nisi mirë, në minutën e nëntë Romelu Lukaku kishte rast të mirë për gol, por në fund goditi shtyllën. Nuk kaloi shumë dhe erdhi goli nga Arsenali, Granit Xhaka shënoi në minutën e 12-të me një goditje të fortë nga distanca për golin e katër sezonal.

Granit Xhaka, një nga më të mirët në fushë (Foto: Julian Finney/Getty Images/Guliver)

Në vazhdim Djajtë e Kuq provuan ta barazojnë rezultatin së pari me Fred (19′), pastaj edhe me Lukakun (36′), por Bernd Leno nuk lejoi që të tundet rrjeta e portës së tij.

Pjesa e dytë filloi me rastin e Lukakut (51′), por Leno edhe një herë bëri një pritje të mirë.

Pierre-Emerick Aubameyang duke festuar golin ndaj Man Utd (Foto: Julian Finney/Getty Images/Guliver)

Kur të gjithë menduan se mysafirët do të barazonin rezultatin, Fred bëri një ndërhyrje të palejuar në zonë dhe gjyqtari kryesor akordoi penallti, e cila më pas u shndërrua në gol nga Pierre-Emerick Aubameyang.

Në vazhdim nuk kishte ndonjë rast serioz për gol, loja kryesisht u zhvillua në mesfushë. Pas kësaj fitore Arsenali ngjitet në vendin e katër me 60 pikë, dy më shumë se Man Utd një pozitë më poshtë.

Në xhiron e radhës Topçinjtë do të luajnë kundër Newcastles, ndërsa Djajtë e Kuq ndaj Watfordit. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=xAUKDPZwR6M

Exit mobile version