Site icon Telegrafi

Arsenali i gëzohet trofeut të Community Shield që e fitoi përballë Cityt

(Foto: Getty)

Arsenali është fitues i trofeut të Community Shield për vitin 2023, pasi fitoi përballë Manchester Cityt në stadiumin Wembley pas ekzekutimit të penalltive, ndërkohë që koha e rregullt u mbyll baras (1-1).

Kjo garë vë përballë fituesin e Ligës Premier dhe atë të Kupës FA në futbollin anglez, ndërsa kur fituesi është i njëjti (si në sezonin 2022/2023 që ishin Citizens), atëherë ndeshja zhvillohet kundër nënkampionit të ligës.

Kai Havertz në dy raste dhe Gabriel Martinelli patën mundësitë e mira për Topçinjtë në gjysmën e parë, por nuk u treguan konkretë, derisa portieri Stefan Ortega ishte në vend.

(Foto: Twitter/Manchester City)

Me të filluar gjysma e dytë, John Stones goditi rrezikshëm me kokë pas një harkimi nga këndi, mirëpo intervenimi i portierit Aaron Ramsdale ishte i mrekullueshëm.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 77-të me një gol të bukur nga Cole Palmer, i cili u asistua me kokë nga Kevin De Bruyne dhe goditi nga brenda zonës.

(Foto: Twitter/Manchester City)

Dy raste tjera të mira për kampionin anglez i patën në vijim Phil Foden dhe Rodri, por në të dyja raste intervenoi Ramsdale.

Në minutën e 11-të shtesë, Leandro Trossard i barazoi shifrat për ta dërguar ndeshjen në penallti.

(Foto: Twitter/Arsenal)

Pas ekzekutimit të njëmbëdhjetëmetërshave, më të saktë u treguan futbollistët e Arsenalit që e fituan për të 17-të herë trofeun e FA Community Shield (që në të kaluarën është quajtur edhe FA Charity Shield), derisa Manchester City e ka fituar gjashtë herë.

Kevin De Bruyne dhe Rodri ishin dy futbollistët që dështuan nga pika e bardhë. /Telegrafi/

Exit mobile version