Telegrafi

Arsenali fiton me rezultat të thellë ndaj Norwichit, Xhaka shënon njërin gol

Arsenal vs Norwich City (Foto: Shaun Botterill/Getty Images/Guliver)

Arsenali ka fituar me rezultat të thellë 4-0 përballjen e tyre në shtëpi ndaj Norwich City të vlefshme për javën e 32-të në Ligën Premier.

Topçinjtë kanë shënuar fitoren e dytë me radhë dhe ëndërrojnë për një vend që i dërgon në Ligën e Kampionëve.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të ekipit të Mikel Artetas, i cili përveç shumë rasteve të krijuara arriti t’i shënojë edhe dy gola.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 33-të dhe ishte Pierre-Emerick Aubemayang, i cili shënoi për 1-0 pasi i vodhi topin portierin Tim Krul.

Vetëm katër minuta më vonë Arsenali gjeti edhe golin e 2-0 dhe ishte ylli shqiptar, Granit Xhaka që shënoi një gol të bukur.

Festa e Xhakës me Aubameyang (Foto: Mike Egerton/Pool via Getty Images/Guliver)

Edhe pjesa e dytë foli e gjitha në të mirë të Topçinjve që vazhduan me lojë të mirë, raste dhe shënuan edhe dy gola tjerë.

Fillimisht ishte Aubameyang (67’) që shënoi golin e dytë personal për 3-0, ndërsa Cedris Soares (81’) shënoi një gol të bukur për 4-0 dhe vulosi rezultatin përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Arsenali e sheh veten në pozitën e shtatë me 46 pikë apo tetë më pak se vendi i katërt, ndërsa Norwich renditet i 20-ti me 21 pikë.

Në ndeshjen e radhës, londinezët luajnë në udhëtim të Wolves, ndërsa Norwichi e pret Brightonin. /Telegrafi/