Telegrafi

Arsenali fiton në udhëtim, nuk dorëzohet për pozitën e katërt (Video)

Arsenali ka shënuar fitore të madhe në udhëtim te Middlesbrough me rezultat 2-1, fitore kjo që e mban në garë për pozitën tre dhe katër në Ligën Premier.

Skuadra e Arsene Wenger i është kthyer fitoreve në kampionat në një ndeshje shumë të vështirë sikurse kjo në udhëtim nga Middlesbrough, ku iu vështirësua shumë fitorja.

Në pjesën e parë ishin mysafirët ata që shënuan një supergol me anë të Alexis Sanchez, i cili mposhti portierin me një goditje të fortë dhe të saktë nga goditja e dënimit në minutën e 42 dhe skuadrat shkuan në pushim me këtë rezultat.

Perla e Sanchezit

Pjesa e dytë nisi më mirë për Middlesbrough që arritën shpejt ta gjejnë golin e barazimit, ku në minutën e 50 ishte spanjolli Alvaro Negredo, i cili shënoi për 1-1 pas asistimit të Stewart Downing.

Festa e Negredos pas barazimit

Goli i fitores për skuadrën e Wenger u shënua nga Mesut Ozil, i cili në minutën e 71 përmbylli një aksion perfekt të skuadrës së tij.

Ozil përmbylli një aksion perfekt me një gol të bukur

Deri në përfundim të ndeshjes të dy skuadrat patën edhe disa gjysmë raste, por pa arritur t’i ndryshojnë shifrat dhe në fund Arsenali fitoi me rezultat 2-1.

Pas kësaj fitore, Arsenali ngjitet në pozitën e gjashtë me 57 pikë, ndërsa Middlesbrough zhytet në pozitën e parafundit me vetëm 24 pikë të mbledhura. /Telegrafi/