Është dashur të zhvillohen vazhdimet që Arsenali ta sigurojë kualifikimin në raundin e pestë (çerekfinale) të Kupës EFL (që njihet si Carabao Cup).
Edhe pse ishin favoritë kundër Norwich Cityt që bën gara në Championship (liga e dytë në futbollin anglez), Topçinjtë fituan vetëm pas vazhdimeve me rezultat 2-1.
Madje ishte skuadra mysafire ajo që krijoi avantazh me një gol të bukur të Josh Murphyt (34’), pas një aksioni mirë të organizuar.
Pjesa e parë përfundoi me epërsinë e Norwichit dhe ky avantazh zgjati deri në pesë minutat e fundit të kohës së rregullt.
Talenti 18-vjeçar, Edward Nketiah, realizoi porsa hyri në lojë (85’) pas harkimit nga këndi të Francis Coquelin dhe e dërgoi ndeshjen në vazhdime.
Në pjesën e parë të vazhdime sërish shënoi Nketiah (96’) me kokë pas harkimit nga këndi, por kësaj radhe krosoi Mohamed Elneny.
Arsenali duhet ta presë shortin për ta mësuar kundërshtarin e radhës në Carabao Cup. /Telegrafi/