Telegrafi

Arsenali e ka prioritet rinovimin e Sakas, tre skuadra të mëdha po e monitorojnë situatën e anglezit

Bukayo Saka është njëri nga futbollistët më të mirë të Arsenalit këtë edicion.

Sulmuesi anglez është në top formë dhe po udhëheq Arsenalin drejt një sezoni të madh në Ligën Premier.

Londinezët e kanë bërë prioritet rinovimin e kontratës me Sakan, pasi duan ta blindojnë yllin e tyre që kërkohet edhe ngq skuadra të mëdha evropiane.

21-vjeçari aktualisht ka kontratë deri në verën e vitit 2024, por qëllimi i Topçinjve është t’ia vazhdojnë atë deri më 2027.

Arsenali pritet që të dal me një propozim në drejtim të lojtarit dhe agjentit të tij, ku sipas mediave angleze Saka mund të bëhet futbollisti më i paguar te londinezët me kontratën e re.

Gjatë ditëve të ardhshme palët do të kenë një takim ku do të diskutohen detajet, pasi dëshira e futbollistit është të mbetet në Emirates Stadium.

Gjithsesi reprezentuesi anglez po monitorohet nga tre skuadrat e mëdha si Man City, Liverpool e Real Madrid që janë të gatshme të bëjnë edhe oferta për t’i siguruar shërbimet e tij. /Telegrafi/