Arsenali dhe Atletico Madrid kanë barazuar me rezultat 1-1 në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Ligës së Evropës.
Skuadra e Arsene Wenger ka lëshuar nga duart një fitore të sigurt në ndeshjen e parë të luajtur para tifozëve të tyre në Emirates.
Pjesa e parë e takimit i takoi Arsenalit, të cilët rrezikuan disa herë, ndërsa luajtën edhe nga minuta e dhjetë me një futbollist më shumë, me Sime Vrsaljkon, i cili u përjashtua pas dy të verdhëve.
Rastet më të mira të kësaj pjese ishin ato të Alexandre Lacazette (6, 7′) dhe Danny Welbeck (21′) për Arsenalin dhe ai i Antoine Griezmann (37′) për Atleticon, por pa arritur t’i ndryshojnë shifrat.
Në pjesën e dytë, vazhdoi dominimi i Topçinjve, të cilët shpejt gjetën edhe golin e parë të ndeshjen dhe epërsisë së tyre.
Ishte pikërisht sulmuesi francez, Lacazette, i cili shënoi në minutën e 61-të me kokë për 1-0 pas asistimit të Jack Wilshere.
Pas këtij goli, Arsenali nuk i ndali sulmet dhe tentoi disa herë ta dyfishoj epërsinë, por u befasuan nga një kundërsulm i shpejt i Atleticos.
Luhej minuta e 82-të kur Antoine Griezmann merr një top të gjatë dhe pas një gabimi të Laurent Koscielnyt, francezi shënoi për 1-1 dhe vulosi rezultatin përfundimtar.
Ndeshja kthyese në Wanda Metropolitano zhvillohet pas një javë apo më saktë me 3 maj. /Telegrafi/
https://twitter.com/Destaquito2/status/989601493539086347
https://twitter.com/Destaquito2/status/989607494732406784