Telegrafi

Arsenali i cakton një çmim “të frikshëm” njërit prej lojtarëve rezervistë

Arsenali i ka lënë tifozët e befasuar me çmimin e lartë që po raportohet se i ka vënë njërit prej lojtarëve rezervistë të klubit.

Gjatë sezonit 2023/2024, “Topçinjtë” sërish luftuan për të fituar titullin e Ligës Premier, por dështuan ta bëjnë këtë pasi Manchester City i Pep Guardiolës e fitoi trofeun për herë të katërt radhazi.

Teksa po i afrohemi hapjes së afatit kalimtar veror, është raportuar se Arsenali po synon të rrisë fondet me shitjen e njërit prej lojtarëve të tyre.

Sipas Football Insider, Arsenali po shikon mundësinë e shitjes së Eddie Nketiah për shumën e 50 milionë eurove këtë verë.

“Arsenali e vlerëson Eddie Nketiah rreth 50 milionë euro dhe kjo është shuma që duhet të paguajnë ekipet e interesuara për të”, ka thënë gazeteri Connor Humm.

Ky raportim shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale teksa tifozët e Arsenalit nuk mund ta besonin këtë vendim të klubit të tyre të preferuar.

“Nuk e shohë dikë duke e paguar atë shumë, pavarësisht se do doja të ndodhë”, ka thënë një tifoz në platformën X.

“Askush nuk do ta paguajë këtë shumë, përse jemi kaq të dobët në shitjen e lojtarëve”, ka thënë një tifoz tjetër.

Në total Nketiah ka bërë 37 paraqitje në të gjitha garat për Arsenalin gjatë sezonit 2023/2024, duke shënuar gjashtë gola dhe duke asistuar në tre të tjerë./Telegrafi/