Tentimet e Arsenalit për të përforcuar mesfushën e tyre mund të pengohen nga ngurrimi i mesfushorit të Real Sociedadit, Martin Zubimendi, që t’i bashkohet atyre përkundër faktit që kanë qenë të interesuar tash e disa kohë.
Zubimendi ka qenë shtylla kryesore e ekipit të Sociedadit që prej se bëri debutimin e tij në moshën 20-vjeçare në 2019, duke bërë mbi 30 paraqitje në çdo sezon në ligë që prej 2020/2021 e tutje, si dhe duke fituar ftesën nga përfaqësuesja e Spanjës.
Kjo ka shërbyer si kambanë alarmi për klubet përgjatë Evropës, duke përfshirë edhe ‘Topçinjtë’ të cilët po kërkojnë një stabilitet defanziv në mesfushë.
Pasi Declan Rice po përdoret në një rol më të avancuar se sa zakonisht, si dhe duke marrë parasysh faktin që Thomas Partey dhe Jorginho tashmë kanë hyrë në të 30-tat, një lojtar më i ri në moshë mund të transferohet në Londrën Veriore.
Raportimet që e lidhin Zubimendin me Arsenalin kanë dalë që nga fundi i sezonit të kaluar, pasi mesfushori mori vëmendjen e shumë klubeve evropiane për shkak të paraqitjeve të tij të mira në La Liga.
Në fillim të sezonit aktual u sugjerua se Arsenali po e konsideron seriozisht mundësinë e aktivizimit të klauzolës së tij të lirimit prej 50 milionë eurosh, por që ndonjë marrëveshje nuk u arrit, dhe ai mbeti në klubin e tij të vendlindjes.
Statusi në rritje i Arsenalit në Ligën Premier dhe në kontinent gjatë dy viteve të fundit, i ka bërë ata një opsion jashtëzakonisht tërheqës për lojtarët anembanë botës, dhe kjo mund të bëjë që Zubimendi të transferohet atje, nëse paraqitet ndonjë ofertë në muajt e ardhshëm./Telegrafi/