Telegrafi

Arsenal i reziston sulmeve të Liverpoolit, vazhdon si lider në Ligën Premier

Liverpool dhe Arsenal kanë luajtur baras 1-1 në “Anfield”, ndeshje kjo e cila ishte e vlefshme për javën e 18-të në Ligën Premier.

45 minutëshi i parë ishte i tëri një spektakël për tifozët e pranishëm në stadium, me shumë raste për gol për të dyja skuadrat.

Arsenali mori avantazhin përmes Gabriel Magalhaes (4’) i cili shënoi për 1-0 me kokë pas asistimit të Martin Odegaard.

Fillimisht u desh ndihma e VAR-it për të konfirmuar pozitën e brazilianit dhe më pas ndeshja rifilloi nga mesi i fushës.

Liverpooli iu afrua barazimit kur Mohamed Salah (14’) goditi rrjetën e jashtme të portës së David Raya.

Pas disa tentimeve të njëpasnjëshme, Liverpooli e gjeti golin e barazimit në minutën e 29-të përmes Mohamed Salah që shënoi për 1-1 pas asistimit të bukur nga Trent Alexander-Arnold.

Në pjesën e dytë ra disi ritmi i lojës, megjithëse Liverpooli pati mundësinë që të rrëmbejë tri pikët.

Vendasit goditën shtyllën me anë të Trent Alexander-Arnold (73’) pas një kundërsulmi vrasës.

“Topçinjtë” protestuan për penallti në minutën e 82-të kur Kai Havertz u rrëzua brenda zonës pas një shtyerje nga Alexander-Arnold, por gjyqtari i takimit heshti.

Deri në fund të takimit nuk pati më ndonjë rast për t’u veçuar dhe të dy skuadrat u desh të pajtoheshin me nga një pikë.

Pas këtij barazimi Arsenali vazhdon si lider me 40 pikë të grumbulluara, i ndjekur pas nga Liverpooli që ka 39 sosh./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore