Telegrafi

Arsenal arrin fitoren e parë ndaj Manchester Cityt në Ligën Premier pas tetë vitesh

Arsenal ka fituar me rezultat 1-0 ndaj Manchester Cityt në kryendeshjen e javës së tetë në Ligën Premier.

Mysafirët patën mundësinë për të kaluar në avantazh në minutën e gjashtë të takimit, por goditja e Josko Gvardiol u largua në vijën e portës nga Declan Rice.

Një tjetër rast të artë shënimi humbi edhe Nathan Ake, i cili ballë për ballë me portierin gaboi duke goditur topin mbi portë.

Pa raste tjera shënimi dhe pa gola u mbyll pjesa e parë e takimit.

Në pjesën e dytë, të dy trajnerët Mikel Arteta dhe Pep Guardiola, përmes zëvendësimeve u munduan të ndryshonin rrjedhën e ndeshjes e cila deri në momentin e golit ishte mjaft e zbehtë dhe larg pritshmërive të tifozëve anembanë botës.

Goli i vetëm në këtë ndeshje dhe ai i tri pikëve për Arsenalin, u shënua në minutën e 86-të nga Gabriel Martinelli i cili u inkuadrua në pjesën e dytë. Ky gol bëri që “Emirates” të shpërthente në festë.

Deri në fund të ndeshjes Arsenal e menaxhoi mirë epërsinë e krijuar dhe mori fitoren e parë ndaj Manchester Cityt në Ligën Premier pas plotë tetë vitesh.

Me këtë fitore Arsenali rrëmben pozitën e dytë në tabelë me 20 pikë, teksa City zbret në pozitën e tretë me 18 sosh./Telegrafi/