Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk kanë arritur të nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëqeverisje.
Të dy liderët e këtyre partive, Albin Kurti nga LVV dhe Isa Mustafa nga LDK, në takimet e fundit që patën javën e kaluar, u dakorduan për intensifikim të takimeve.
Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se për sot nuk është paraparë ndonjë takim i të dy liderëve Kurti e Mustafa.
“Shumë gazetarë po bëjnë pyetje se a ka takim sot mes VV-së dhe LDK-së. Me informacionet që kemi nga strukturat e Lëvizjes nuk është planifikuar ndonjë takim për sot”, ka shkruar Manxhuka.
Të shtunën Kurti e Mustafa kanë mbajtur një takim maratonik, ku i njëjti përfundoi pa arritje të marrëveshjes për koalicion qeverisës.
E tëra që kanë thënë ata para gazetarëve, ka qenë se në takimin e së shtunës nuk është arritur marrëveshja dhe se do të vazhdojnë takimet.
“Nuk është përfunduar ende. Nuk kemi ardhur deri te një konkludim. Jemi pajtuar që duhet të vazhdojmë ende deri në arritjen e marrëveshjes”, kishte thënë anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti.
“Krejt çka mund të them për sonte, është që nuk pati marrëveshje. Krejt çka mund të them është se do të shohim në ditët e ardhshme si do të veprojmë”, deklaroi nënkryetari i LVV, Glauk Konjufca. /Telegrafi/