Duka dhe dukesha e Sussexit do të heqin dorë tërësisht nga jeta mbretërore, pasi është arritur marrëveshja për atë që është quajtur si ‘Megxit’. Kështu ka njoftuar të shtunën mbrëma pallati mbretëror i Buckinghamit.
Çifti nuk do t’i shfrytëzojë më titujt HRH (lartmadhëria e saj/tij) dhe do t’i kthejnë 2.4 milionë funte (2.8 milionë euro) të taksapaguesve që i kanë shpenzuar për rinovimin e shtëpisë së tyre në Frogmore Cottage.
Nga pranvera, ata do të njihen thjeshtë si Harry, duka i Sussexit dhe Meghan, dukesha e Sussexit dhe nuk do t’i kryejnë më obligimet mbretërore.
Njoftimi i sotëm (e shtunë) shënon përmbylljen e bisedimeve për të ardhmen e tyre, pas debateve disamujore me anëtarët tjerë të familjes mbretërore.
Kjo nënkupton se Harry dhe Meghan ia kanë arritur qëllimit të tyre për të bërë një jetë të pavarur në Amerikë, ku mund ta caktojnë agjendën e tyre dhe të përfitojnë para me metodat e tyre. Megjithatë, ata janë zotuar që t’i përkrahin vlerat e mbretëreshës.
Emërtimi i tyre i ri kujton kohën kur nëna e Harryt, Diana, u shkurorëzua dhe nuk iu lejua që ta përdorte më titullin e saj HRH – lartmadhëria e saj, por thjesht njihej si Diana, princesha e Uellsit. /Telegrafi/