Christian Pulisic do të jetë lojtari më i ri i skuadrës angleze, Chelsea. Pas shumë negociatave mes Bluve dhe Borussia Dortmundit, është arritur marrëveshja për sulmuesin e talentuar amerikan.
Lajmin për arritjen e marrëveshjes e ka konfirmuar gazeta e njohur gjermane Sport Bild.
Chelsea është pajtuar që të paguajë te Dortmundi shumën prej 57 milionë eurove për transferimin e Pulisicit.
Por, reprezentuesi amerikan do t’i bashkohet Chelseat vetëm në afatin kalimtar të verës, edhe pse londinezët insistuan për në janar, por që Dortmundi nuk pranoi largimin e yllit të tyre në dimër.
Kësisoj Chelsea ka fituar garën për Pulisicin me skuadrat tjera angleze si Arsenal, Liverpool dhe Manchester United që gjithashtu e donin lojtarin.
20-vjeçari pritet të nënshkruajë kontratë pesë vjeçare me Chelsean, por që detajet financiare të kontratës së tij nuk janë publikuar.
Ylli amerikan këtë edicion ka luajtur 18 ndeshje me fanellën e Dortmundit duke shënuar tre gola dhe duke asistuar në katër të tjerë.
Pulisic është pjesë e klubit gjerman që nga viti 2015, kur iu bashkua verdhezinjve në grupmoshën U15. /Telegrafi/