Telegrafi

Arrihet marrëveshja mes palëve, Gentrit Halili e vazhdon karrierën në Kroaci

Mbrojtësi i ri ferizajas, Gentrit Halili pritet ta vazhdojë karrierën në Superligën e Kroacisë, te skuadra Varazdin.

21-vjeçari ishte njëri nga zbulimet e sezonit duke qenë i padiskutueshëm në formacionin e Ferizajt.

Paraqitjet e tij të mira bënë që Halili të përfundoj në radarin e shumë klubeve të njohura nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, por edhe kampionate tjera në Ballkan.

Lexo po ashtu Shkëlqeu me Ferizajn, Gentrit Halili merr oferta të rëndësishme nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Ditë më parë, Telegrafi kishte informuar se Partizani dhe Vllaznia nga Superliga e Shqipërisë dhe Struga nga Maqedonia e Veriut i kishin bërë ofertë për Halilit, ndërsa më vonë garës i ishin bashkuar edhe Ballkani e Skënderbeu.

Megjithatë, djaloshi nga Ferizaj pritet ta vazhdojë karrierën në Superligën e Kroacisë.

Telegrafi mëson se Halili do të bëhet pjesë e klubit Varazdin, pasi palët kanë arritur tashmë marrëveshje dhe kanë mbetur vetëm edhe disa detaje për t’u zyrtarizuar transferimi i talentit kosovar në klubin kroat.

Oferta e klubit kroat thuhet se ishte më e mira dhe ideja për të luajtur në një kampionat të fortë ishin ato që bindën Halilin.

Ndryshe, Halili këtë edicion ka zhvilluar 34 ndeshje ku ka realizuar edhe katër gola pasi njihet si një nga futbollistët më të rrezikshëm nga ndërprerjet. /Telegrafi/