Telegrafi

Arrihet marrëveshja mes klubeve, Kumbulla do t’i bashkohet Juventusit

Marash Kumbulla mund të quhet lojtar i ri i Juventusit, edhe pse mungon vetëm zyrtarizimi.

Marrëveshja mes kampionit në fuqi të Italisë dhe Hellas Veronës është arritur, kështu së paku kanë raportuar mediat më të mëdha italiane.

Zonja e Vjetër është pajtuar që të paguajë 32 milionë euro te Verona për t’i siguruar shërbimet e qendërmbrojtësit shqiptar.

Dy kapitenët, Giorgio Chiellini dhe Leonardo Bonucci janë në vitet e fundit të karrierës së tyre dhe Juventus kërkon pasardhësin e italianëve.

Juve ka shpejtuar për të siguruar shërbimet e Kumbullës duke mposhtur konkurrencën e Interit që shihej si skuadra favorite.

Ndërkohë gjithnjë sipas gazetës La Stampa, për qendërmbrojtësin shqiptar është bërë gati një kontratë afatgjate prej pesë viteve.

Kumbulla gjatë një dueli me Ronaldon

Me Kumbullën në skuadër që pritet të zyrtarizohet së shpejti dhe me mbrojtësit e tjerë të rinj si Matthijs de Ligt e Merih Demiral, Juventus ka siguruar mbrojtjen për shumë vite.

20-vjeçari shqiptar këtë edicion ka qenë njëri nga mbrojtësit më të mirë në Serie A, ku është paraqitur në 18 ndeshje për Veronën, teksa ka shënuar edhe një gol. /Telegrafi/