Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi deklaroi sot se PS dhe PD kanë arritur dakordësi lidhur me votimin e shqiptarëve të cilët jetojnë jashtë vendit.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së grupit te dialogut për votën e diasporës, Bylykbashi u shpreh se kanë ngelur vetëm disa detaje teknike.
Ai theksoi se kushdo që është jashtë Shqipërisë dhe ka një dokumentacion dhe adresë që mund të komunikojnë do kenë të drejtën e votës.
“Të gjithë shtetasit shqiptarë duhet të kenë të drejtën për të votuar nëse ata ndodhen jashtë Shqipërisë. Ata që janë emigrant dhe kanë një adresë, ata që janë për arsye pune, studentët, ushtarakët, të gjithë këta të kenë mundësinë që të regjistrohen pa pengese në KQZ me dokument të qartë që shërben vetëm për ato zgjedhje dhe nuk ka ndikim për aspekte të tjera”, u shpreh Bylykbashi.
Sa i përket diskutimeve të zhvilluara me mazhorancën lidhur me Reformën Zgjedhore, Bylykbashi tha se u lanë detyra të tjera për të qartësuar detajet e fundit.
“Por gjykoj që do të ecet përpara. Votimi nga jashtë, jo vetëm diaspora, por të gjithë shqiptarët që kanë të drejtën kushtetuese të votojnë. Kemi ecur në diskutime dhe detaje teknike. Ajo që është e rëndësishme është që kjo të jetë e drejtë efektive. Ne u përpoqëm të imponojmë këtë. Nuk mund të ketë dy kategori shqiptarësh, ata që janë regjistruar në mënyrë të ligjshme dhe ata që janë regjistruar në mënyrë të paligjshme, kushdo që është jashtë Shqipërisë dhe ka një dokumentacion dhe adresë që mund të komunikojnë do kenë të drejtën e votës”, theksoi deputeti i PD-së.
Ai shtoi se “kjo është ajo që përcakton limitet e Gjykatës Kushtetuese, ne do të kërkojmë shtrirjen maksimale të votimit preferencial të zgjedhëseve dhe sigurisht në atë moment, do të lindte nevoja për çdo lloj herësi. Më shumë se sa kaq nuk mund të themi sepse i është lënë hapësira ekspertëve”. /Telegrafi/