Një burrë francez që u arrestua dje në aeroportin e Glasgow në Skoci, nuk është i dyshuari për vrasje, Xavier Dupont de Ligonnes sipas rezultateve të testeve të ADN-së, ka bërë të ditur sot një burim i afër me hetimet.
De Ligonnes ishte në arrati, që kur trupat e Agnes, 48 vjeç, dhe fëmijëve Arthur, 20 vjeç, Tomas, 18 vjeç, Anne, 16 vjeç dhe Benoit, 13 vjeç, u gjetën të varrosur në kopshtin e shtëpisë familjare në Nantes, që ndodhet në perëndim të Francës, krahas dy qenve shtëpiak, transmeton Telegrafi.
Autoritetet e sigurisë, kanë bërë të ditur dje, se e kanë arrestuar një udhëtar që kishte një urdhër arrest ndërkombëtar, për vrasjet që tmerroi Francën gjatë vitit 2011. Por, gjatë ditës së sotme, një burim i afërt me hetimet, bëri të ditur se testi i ADN-së, nuk është përputhur me të.
Forcat e rendit e kishin ndaluar atë, për shkak se përngjante me atë që besohet të jetë ‘monstra’ franceze, derisa shenjat e gishtave i janë përputhur pjesërisht.
Në anën tjetër, sipas disa lajmeve të pakonfirmuara, thuhet se ai ka bërë ndërhyrje kirurgjike në fytyre dhe tash e një kohë është në një lidhje martesore, me një skoceze.
Tani që i arrestuari del të jetë dikush tjetër, pritet që autoritetet e sigurisë të japin një sqarim për arrestin, që shqetësoi shumë njerëz që njihen me këtë ngjarje. /Telegrafi/