Sot (e martë) është arrestuar një punonjës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ai është arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimet se ka kërkuar dhe pranuar ryshfet shumën e të hollave prej mijëra eurosh, nga dy biznese aplikuese dhe përfituese të subvencioneve të ndara nga ministria përkatëse.
“I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim të Prokurorit të Shtetit i njëjti ndalohet për 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Telegrafi ka mësuar nga burime brenda MKRS-së se personi i arrestuar është këngëtari Leotrim Gashi, i cili ka punuar në departamentin e rinisë.
Leotrimi ka një karrierë disa vjeçare në muzikë, kryesisht në zhanrit popullor dhe folklorik.
Madje vetëm pak muaj më parë, ai kishte publikuar projektin e tij të fundit muzikor, një “mashup” këngësh në kuadër të programeve festive.
Kujtojmë që Policia e Kosovës kishte vënë në pranga dhjetëra zyrtarë gjatë vitit të kaluar në aksionin që kishte të bënte me subvencionet në Ministrinë e Bujqësisë. /Telegrafi/