Policia e Kosovës ka arrestuar një zyrtar të Komunës së Mitrovicës së Jugut për marrje ryshfeti.
I dyshuari, B.S., është kapur në flagrancë në qendër të qytetit pasi kishte pranuar ryshfetin prej 200 euro.
“Në koordinim me prokurorinë, më 04.07.2024 rreth orës 12:20, në sheshin ,,Isa Boletini” në Mitrovicë ka arrestuar në flagrancë të dyshuarin pasi i njëjti ka marrë ryshfetin në shumën prej 200 eurove” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Zyrtari i arrestuar dyshohet se kishte kërkuar dhe pastaj marrë 200 euro nga një qytetar për rregullimin e dokumentacionit për përfitimin e një GRANDI që lidhet me ri-atdhesimin.
Deri te kapja e tij ka ardhë aplikimit të masave të fshehta hetimore.
“Hetimi për rastin është zhvilluar me aplikim të masave të fshehta hetimore dhe për zhvillimin e operacionit, policia ka pasur urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës – Departamenti për Krime të Rënda” – thuhet në komunikatë.
Lidhur me këtë është iniciuar rasti ‘marrja e ryshfetit’, është njoftuar prokurori i çështjes, i cili të dyshuarit i ka caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orë.