Policia e Kosovës, drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, ka arrestuar mbrëmë dy persona, njëri nga ta zyrtar i ATK-së.
Të njëjtit janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.
“Njësitet policore të Drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit-Prishtinë pas disa veprimeve hetimore në koordinim edhe me Prokurorinë Themelore në Gjilan, me 17.03.2021 kanë arrestuar njërin nga dy të dyshuarit meshkuj kosovar-zyrtar të ATK-së, nën dyshimin se kanë kryer veprën e cekur me lart”, thuhet në raportin e policisë.
Policia njofton se gjatë bastisjes në shtëpitë dhe zyrat e punës së tyre, janë sekuestruar para të gatshme, dy telefona, një shtëpizë kompjuteri, dy llap-top dhe disa dokumente zyrtare.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari i arrestuar pas intervistimit është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt. Rasti vazhdon të hetohet.
Arrestimin e zyrtarit të ATK-së në Gjilan e kanë konfirmuar për Telegrafin edhe nga Prokuroria Themelore e Gjilanit.
“Sipas kërkesës suaj ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorisë Themelore në Gjilan, është ndaluar një (1) inspektor i ATK-së, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’, ndërsa, drejtori i ATK-së është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë. /Telegrafi/