Telegrafi

Arrestohet vozitësi në Mitrovicë i cili rrezikoi jetën e dy qytetarëve  

Policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës ka arrestuar një person, i cili një ditë më parë rrezikoi dy qytetarë gjatë ngasjes së rrezikshme të veturës.

Policia njofton se nga hetimet e zhvilluara në vendin e ngjarjes, dyshimet janë ngritur se si pasojë e humbjes së kontrollit ndaj automjetit ngasësi ka rrezikuar jetën e qytetarëve (këmbësorëve), më pas ka shkaktuar vetëaksident me dëme materiale.

“Lidhur me rastin e së martës, në rrugën ‘Mbretëresha Teutë’ në Mitrovicë, Policia përmes njësiteve relevante ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore drejt hetimit dhe identifikimit të ngasësit të automjetit i cili ka kryer vozitje të rrezikshme duke rrezikuar jetën e disa qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Mbi bazën e provave materiale për veprimet e ngasësit është iniciuar rast për “Rrezikim i trafikut publik”.

Ndërsa pas intervistimit i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/