Telegrafi

Arrestohet sulmuesi që vrau dy persona, kur hapi zjarr pranë një sinagoge në Gjermani

Forcat policore gjermane, kanë arritur ta arrestojnë sulmuesin, që hapi zjarr afër një sinagoge në Gjermani ku la të vdekur dy persona, derisa hebrenjtë po përgatiteshin të festonin ditën e shenjtë të njohur si Yom Kippur.

Me të kryer sulmin në Halle, ai u shfaq drejtpërdrejt në rrjete sociale, ku tregonte se si vrau dy persona, hodhi një granatë në një varrezë hebraike, derisa la eksplozivë jashtë sinagogës, meqë nuk arriti të hynte brenda për ta aktivizuar, transmeton Telegrafi.

Në videon që zgjatë 35 minuta, ai flet edhe për holokaustin, të drejtat e grave dhe imigracionin. Sipas Bild, sjellë Telegrafi, i dyshuari është 27-vjeçari Stephan Balliet, që është arrestuar më vonë, derisa përpiqej të arratisej me një taksi.

Sulmuesi duke u larguar pasi që hapi zjarr afër sinagogës

Këtë mbrëmje, Ministri i Brendshëm i Gjermanisë tha se ky duket se ishte një sulm antisemitik, sipas të gjitha gjasave i motivuar nga ekstremizmi i krahut të djathtë, ndërsa kancelarja Angela Merkel shprehu “keqardhje të thellë”.

Lexo po ashtu Publikohen pamjet e para të sulmit në Gjermani, i veshur me rroba të ushtrisë sulmuesi hap zjarr

Pasi dështoi të futej brenda sinagogës, ku rreth 80 njerëz ishin duke u lutur rreth mesditës, ai qëlloi për vdekje një grua, e cila u konfrontua dhe provoi ta ndalonte pranë makinës së tij. Një burrë tjetër u qëllua për vdekje, pasi sulmuesi u fut në një dyqan ku shiten ushqime të shpejta afër sinagogës, përpara se të hapte zjarr për herë të dytë.

Videoja e realizuar jashtë dyqanit, tregon një burrë të veshur me motive ushtarake, që qëllon me atë që duket se është një armë gjahu, derisa e ka fytyrën e zbuluar dhe vazhdonte të qëllonte nëpër rrugë. /Telegrafi/