Telegrafi

Arrestohet shqiptari në Itali, shpërndante lëndë narkotike në lagjet e Napolit

Një 39-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane në Napoli, pasi akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike.

Shqiptari me iniciale E.G u arrestua ditën e martë, 13 dhjetor.

Mediet lokale bëjnë me dije se lëvizjet e shqiptarit, i cili hynte derë më derë në lagjet e Napolit ngritën dyshimet se ai mund të shiste lëndë narkotike.

Në këtë mënyrë policia e ndoqi, e për pasojë zbuloi aktivitetin kriminal të 39-vjeçarit.

Gjatë kontrollit nga ana e policisë, 39-vjeçarit iu sekuestruan 58 gr heroinë, 255 euro, një telefon dhe çelësin e një apartamenti në përdorim për të, që ndodhej në pallatin nga i cili ishte larguar.

Operatorët kontrolluan shtëpinë dhe gjetën 11 kg heroinë të ndarë në mbështjellje të ndryshme , 4 peshore precize dhe materiale të ndryshme për paketimin dhe prerjen e drogës. /Telegrafi/