Është arrestuar shoferi i kamionit, i cili dyshohet se të premten mbrëma ka shkaktuar aksidentin me fatalitet në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Si rezultat i hetimeve intensive, hetuesit e Njësisë së Trafikut Rrugor, kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin shoferin e automjetit transportues (kamion) i cili dyshohet për përfshirje në aksident trafiku me pasojë fataliteti i ndodhur dje me datën 5 janar 2024, rreth orës 16:43, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë në fshatin Maxhunaj, ku ka humbur jetën viktima (këmbësori) mashkull kosovar”, ka thënë ai.
Zahiti më tej ka bërë të ditur se me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Policia të premten ka njoftuar se një person i moshës rreth 60-vjeçare është goditur për vdekje nga një kamion, i cili nuk është ndalur në vendin e ngjarjes.
Sipas njoftimit, këto janë dyshimet që policia i ka ngritur në bazë të rrethanave dhe dëshmitarëve.
“Aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:40 në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, fshati Maxhunaj. Dyshohet se një kamion e ka goditur për vdekje një këmbësor. Në bazë të informacioneve të para, kamioni nuk është ndalur në vend të ngjarjes”, thuhej në njoftimin për media. /Telegrafi/