Robert Kulla, djali i Nehat Kullës, një prej krerëve të bandave të Shqipërisë së vitit 1997, është arrestuar mëngjesin e kësaj të shtune nga policia.
43-vjeçari është denoncuar në polici nga njerka e tij për “Dhunë në familje”, njofton Euronews.al.
Sipas informacioneve të policisë Robert Kulla ushtroi dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së babait të tij të ndjerë, si dhe i theu çelësin e bravës.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin R. K., 43 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale ‘Dhuna në familje’, ‘Vetëgjyqësia’, dhe ‘Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës’. Ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së babait të tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtje dhe me vetëgjyqësi i ka thyer çelësin e bravës”, njofton policia.
Robert Kulla nuk është një personazh i panjohur për uniformat blu, 7 vjet më parë ai u arrestua si organizatori i vjedhjes spektakolare të një bankomati në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Ndërkohë babai i tij Nehat Kulla, një nga të fortët e Tiranës të viteve ’90, i njohur ndryshe me nofkën “Gjenerali”, ndërroi jetë në vitin 2020, vetëm pak kohë pas daljes nga burgu.