Telegrafi

Arrestohet punëtorja e QKUK-së, kapet në flagrancë duke marr 400 euro ryshfet

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar sot një punëtore të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, pasi e njëjta është kapur në flagrancë duke marr 400 euro ryshfet një viktime, për t’ia rregulluar dokumentat për të përfituar pensionin e viktimës civile të luftës.

Sipas njoftimit të Policisë, “me datë 19.03.2019, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka pranuar informacionin se e dyshuara femër (me inicialet F.C.) punëtore në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ka kërkuar para (të holla) në vlerë prej 400 euro nga viktima me qëllim që t’i rregulloj disa dokumente mjekësore, për përfitim të një pensioni si viktimë civile e luftës”, thuhet në njoftimin e Policisë, përcjell Telegrafi.

“Si vazhdimësi e hetimeve nga Policia e Kosovës, janë aplikuar masa të fshehta, për veprën  penale ”Marrja e ryshfetit”nga neni 428 i kodit penal të RKS-së”.

“Pas një pune hetimore profesionale, me datë 02.04.2019, pasi e dyshuara (F.C.) është takuar me viktimën e rastit dhe nga ajo ka marrë shumën e parave në vlerë prej 400 euro për t’i rregulluar dokumentacionin e lartcekur, menjëherë pas marrjes së parave e dyshuara është arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës”.

Me vendim nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e dyshuara e arrestuar dërgohet në qendrën e mbajtjes për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore.

Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha formave të krimit e në veçanti korrupsionit dhe do të jetë e pa kompromis ndaj secilit individ pavarësisht rolit dhe funksionit që ka individi dhe njëkohësisht apelon tek të gjithë qytetarët që rastet e tilla korruptive të raportohen pa hezitim tek organet kompetente, ku të njëjtat do të trajtohen me seriozitet dhe profesionalizëm të lartë. /Telegrafi/

Foto: Ilustrim