Në protestën e cila po mbahet para Qeverisë së Kosovës, si shenj revolte ndaj vrasjes së gruas shtatzënë e cila u vra mbrëmë në oborrin e QKUK-së, janë hedhur disa mjete zjarrvënëse.
Për këtë veprim Policia e Kosovës, e ka arrestuar një grua e cila ishte pjesë e protestës.
Aktivisti i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, e ka postuar në Facebook, një video-incizim, ku shihet teksa policia e arreston aktivisten Neri Ferizi në oborr të Kuvendit të Kosovës.
Protesta është organizuar pas vrasjes së 35-vjeçares, në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë.
Në protestën e nisur në sheshin “Zahir Pajaziti”, u panë qindra qytetarë me thirrjet, “Vrasjet e grave janë vrasje të paralajmëruara”, “Drejtësi, jo poezi”, “Kryeministër, armiku është patriarkati”, “Historinë e Kosovës po e shkruani me gjak të grave”.
Protesta u thirr nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.