Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person, pasi që kishte tentuar ta kalonte ilegalisht kufirin Kosovë – Serbi, dhe të kontrabandojë derivate të naftës.
Policia njofton se rasti ka ndodhur sot gjatë ditës, transmeton Telegrafi.
“Policia e Kosovës, në këtë rast zyrtarët kufitarë, më datën 21.06.2021 në fshatin Banjë të Komunës së Zubin Potokut, fshat ky i cili gjendet në brezin kufitar, gjatë patrullimit kanë ndaluar një automjet i cili në rrugë alternative ka tentuar të kalojë kufirin Kosovë – Serbi. Automjeti i ndaluar nga patrulla policore kufitare, në dalje të RKS-së, i cili posedonte targa (NP) drejtohej nga personi me vendbanim po ashtu nga Novi Pazari dhe kishte të ngarkuar derivate të naftës në sasi prej 1354 litra naftë”, njofton Policia.
Në njoftim thuhet se “nën dyshimin e kryerjes së veprave penale; Kalim i pa autorizuar i vijës kufitare dhe Kontrabandim me mallra, i dyshuari është ndaluar dhe automjeti është konfiskuar”.
Me vendim të prokurorit kompetent, personi i dyshuar është dërguar në mbajtje, përderisa automjeti dhe malli i kontrabanduar i janë dorëzuar Doganës së Kosovës. /Telegrafi/