Si vrasje e rëndë në tentativë e ka klasifikuar Policia e Kosovës atë që ka ndodhur në orët e mbrëmjes të së premtës në vendin e njohur si “Hani i Dilit” në rrugën “Bajram Bahtiri” në kryeqytet.
Personi që shtiu në drejtim të djalit të axhës së tij është arrestuar.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar pasi që i njëjti për arsye të pa njohura ka shtënë me armë zjarri në drejtim te viktimës mashkull K-Shqiptar –djali i axhës se tij. Viktima ka pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit dhe i njëjti është dërguar në QKUK Prishtinë për tretman mjekësor. Njësiti policor ka konfiskuar armen e cila dyshohet të jetë përdorë ne rast. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet ne mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.
LEXO MË SHUMË: Te “Hani i Dilit” në Prishtinë, plagos me armë djalin e axhës (Video)
Mbrëmë është raportuar se personat të cilët janë gjuajtur me armë, kanë qenë familjarë, respektivisht dorasi ka shtirë mbi djalin e axhës së tij.
Motivet e kësaj ngjarje sipas informatave jozyrtare tregojnë se këta kanë pasur konflikt interesi mes tyre. Vetura e tipit BMW, e parkuar në trotuar, siç mund ta shihni në pamje, ka qenë mollë sherri.
Ajo i përket personit që është plagosur, pasi që siç thanë dëshmitarët, ka këmbëngulur të mos e largojë veturën nga prona e djalit axhës së tij të cilën e kishte shitur vetë para disa kohe.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe aktualisht po zhvillon hetimet.