Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se kanë arrestuar një të dyshuar, me shtetësi serbe punëtor i integruar nga strukturat paralele në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe të Infrastrukturës pasi është kapur me katër mijë fishekë.
Sveçla në një postim në Facebook shkruan, ky ishte një aksion tjetër shumë i suksesshëm e i rëndësishëm për forcimin e sovranitetit të vendit tonë.
“4 mijë fishekë i konfiskuam. Pra, edhe një aksion tjetër shumë i suksesshëm e i rëndësishëm për forcimin e sovranitetit të vendit tonë.
Në pikën kufitare në Jarinje, Policia e Republikës së Kosovës ndaloi një të dyshuar me shtetësi serbe, punëtor i integruar nga strukturat paralele në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe të Infrastrukturës. I dyshuari është dërguar në mbajtje.
Përgëzime Policisë së vendit tonë për punën e madhe dhe për profesionalizmin e tyre të lartë”, shkruan ministri. /Telegrafi/