Policia e Kosovës, konkretisht Sektori për Hetimin e Krimeve të Luftës, më datën 25 shkurt 2025, në pikën kufitare të Jarinjës, ka ndaluar një person i cili dyshohet se ka kryer Krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Sipas hetimeve të kryera nga Hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Luftës, i dyshuari me iniciale (D.R.) është i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), në komunën e Gjakovës në periudhën kohore 07-10 maj 1999, duke vepruar në grup dhe të organizuar si zyrtar të mobilizuar me njësi të përbëra nga MUP-i serb.
I dyshuari është shoqëruar në Policinë e Kosovës, ku është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës.
Prokurori i rastit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është informuar për të gjitha veprimet hetimore dhe ka lëshuar aktvendimin për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
Policia e Kosovës është e përkushtuar të vazhdojë me hetimet dhe bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet përkatëse për të siguruar drejtësi lidhur me krimet e luftës në Kosovë./Telegrafi/