Policia në Estoni arrestoi një profesor universiteti me origjinë ruse, i cili dyshohet se spiunoi në llogari të Moskës.
Shërbimi i Sigurisë së Brendshme të Estonisë (ISS) njoftoi se ka nisur një hetim kundër Vyacheslav Morozov, shtetas rus dhe profesor i politikës ndërkombëtare në Universitetin prestigjioz të Tartus, për përfshirjen në aktivitetet e inteligjencës që synojnë minimin e sigurisë kombëtare të vendit.
Detajet e aktiviteteve të supozuara të inteligjencës nuk u publikuan “pasi hapat procedural po ndërmerren për të verifikuar akuzat”, raporton politico.eu.
Në një deklaratë të përbashkët të ISS-it dhe prokurorëve, thuhet se ky është një nga më shumë se 20 rastet dhe se përfaqëson “dëshirën e shërbimeve të inteligjencës ruse për të depërtuar në fusha të ndryshme të jetës së Estonisë, përfshirë atë shkencore”.
Universiteti i Tartu është më i madhi dhe më i vjetër në Estoni, i themeluar në vitin 1632.
Mediat estoneze raportuan se Morozov ka punuar atje si profesor i studimeve për marrëdhëniet e Bashkimit Evropian dhe Rusisë nga viti 2016 deri në vitin 2023, dhe deri më 1 janar 2023 ka dhënë mësim teorinë politike ndërkombëtare.
Ndryshe, Morozov është një ish-profesor i asociuar në Universitetin Shtetëror të Shën Petersburgut, një nga institucionet akademike më të njohura të Rusisë. /Telegrafi/