Policia në Mitrovicë thotë se mëngjesin e djeshëm, ka vërejtur se në rrugën “Mbretëresha Teutë’’ ishin dëmtuar dy shenja trafiku, ku nga ekzaminimi i vendit të ngjarjes Policia dyshimet i ngrit te goditja e shenjave nga ana e ndonjë automjeti në lëvizje.
“Pas disa orë hetimi të mirëfilltë të rrethanave të vendit të ngjarjes, Policia ka arritur të identifikojë veturën dhe drejtuesin e saj, tashmë të dyshuarin e arrestuar nga Policia”, ka njoftuar policia.
Nga hetimet e deritanishme bëhet e ditur se i dyshuari drejtuesi i veturës në kohën e incidentit kur kishte goditur dy shenjat e trafikut ishte nën ndikimin e alkoolit, që ka rezultuar me 1.53 promil.
Ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë për ‘rrezikim të trafikut publik’.
Të dyshuarit pas procedurave me vendim të prokurorit të çështjes i është caktuar masa e ndalimit policor.