Më 12 gusht 2016, në mbrëmje rreth orës 22:05, në Vushtrri ishte raportuar rasti i veprës penale ‘vjedhje e veturës’, ku sipas viktimës së rastit thuhet se në rrugën “Gjergj Fishta” në Vushtrri i ishte vjedhur vetura e llojit Mercedes.
Veprimet policore në kërkim të veturës së vjedhur kishin nisur menjëherë, duke vepruar sipas procedurave, ku ishte bërë shpërndarja e të dhënave të veturës së vjedhur në tërë vendin.
Bazuar në një informacion të pranuar lidhur me veturën e vjedhur, më 15 gusht 2016, njësia policore në kuadër të stacionit policor në Fushë Kosovë, mbi dyshime të arsyeshme ka arritur që të lokalizojë zonën ku dyshohej se ndodhej vetura e vjedhur, ku në bashkëpunim me hetuesit e stacionit policor në Vushtrri, ishte vërtetuar se vetura në fjalë ishte e njëjta e cila ishte raportuar e vjedhur më 12 gusht 2016, në Vushtrri.
Me këtë rast është identifikuar dhe arrestuar personi i dyshuar L. H., 52 vjeçar, ndaj të cilit është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Pas procedurave të verifikimit faktik, vetura në fjalë i është kthyer viktimës, pronarit. /Telegrafi/