Policia e Kosovës (PK) njofton se ka arrestuar të dyshuarin G.N (70-vjeç), nën dyshimin për dhunë në familje dhe të njëjtit i janë sekuestruar dy armë zjarri dhe municion.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi për medie nga policia, ku thuhet se arrestimi i të dyshuarit u bë pasi sot rreth orës 13:00, policia ka pranuar një informatë për një rast të dhunës në familje në Graçanicë.
“Ka qenë reagimi i shpejtë i zyrtarëve policor, ai që ka rezultuar me arrestimin një person i dyshuar- G. N, mashkull, 70 vjeç”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, pjesë e punës së zyrtarëve të dhunës në familje dhe sektorit të hetimeve, që i janë përgjigjur rastit, ka qenë edhe kontrolli i shtëpisë.
“Gjatë kontrollit, në shtëpinë e personit të dyshuar, policia i ka gjetur dhe sekuestruar: dy armë zjarri, katër karikatorë dhe 52 fishekë”, thuhet tutje në njoftim.
Bëhet e ditur se personi i dyshuar me vendim të prokurorit, është dërguar në qendrën e mbajtjes.
“I dyshuari ngarkohet me veprat: Dhunë në familje si dhe Mbajtje në pronësi , kontroll ose posedim i pa autorizuar i armëve”, përfundon njoftimi i policisë.