Telegrafi

Arrestohet në Merdar një shtetas i Maqedonisë, dyshohet për kontrabandim me migrantë

Një shtetas i Maqedonisë së Veriut është arrestuar këtë të enjten në Merdar, pasi dyshohet për kontrabandim me migrantë.

I njëjti ishte në kërkim nga hetuesit e stacionit policor të Vitisë.

“Sot me datën 13.04.2023 nga Policia e Kosovës në pikë kalimin kufitar në Merdar, është arrestuar i dyshuari A.B. (viti i lindjes 1984, mashkull shtetas i Maqedonisë) i cili ishte vënë në kërkim policor nga hetuesit e stacionit policor të Vitisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje, thuhet se i njëjti dyshohet se me datën 08.04.2023 nga viktima (mashkull kosovar) kishte pranuar një shumë të konsiderueshme të hollash me premtimin se do të i mundësonte udhëtimin në një shtetet të Evropës.

“Pas arrestimit i dyshuari është sjellë në stacionin policor Viti ku është intervistuar në bazë të procedurave ligjore. Prokurori i shtetit ndaj këtij të dyshuari ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë për veprën penale ‘Kontrabandim me migrantë’ dhe rasti do të dërgohet në prokurorinë themelore”, bëhet e ditur në njoftim. /Telegrafi/