Policia e Kosovës ka arrestuar në Ferizaj shtetasin kosovar me inicialet V.A, që ishte i kërkuar me udhërarrest ndërkombëtar.
Sipas njoftimit, 35-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze për veprën penale “Vrasje” të kryer në Oslo më 07.10.2021.
“Personi i arrestuar përveç shtetësisë kosovare posedon edhe shtetësi norvegjeze, ndërsa në momentin e arrestimit të njëjtit i është gjetur një armë zjarri si dhe disa pasaporta të shteteve të tjera të cilat me gjasë janë të falsifikuara”, thuhet në komunikatën për media.
Ndaj personit të arrestuar do të vazhdojnë procedurat e parapara për raste të tilla.
Raportohet se i arrestuari është njëri nga vëllezërit Avdyli që më herët ishin burgosur për terrorizëm, e të cilët akuzohen për vrasjen e Hamse Hashi Adan, 20-vjeç në Mortensrud, lagje kjo në Oslo të Norvegjisë.
Valon dhe Visar Avdyli, 32 dhe 35-vjeç, ishin duke u kërkuar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me policinë norvegjeze për t’u arrestuar.
Gjatë 7 tetorit, Hamse Hashi Adan u qëllua derisa po qëndronte me disa persona tjerë para shkollës Lofsrud në Mortensrud. Të nesërmen ai ndërroi jetë nga plagët e marra. /Telegrafi/