Telegrafi

Arrestohet në Kosovë Gëzim Çela, “baroni i drogës” së Shqipërisë

Këtë të premte është arrestuar në Kosovë Gëzim Çela, i njohur në Shqipëri si “baroni i drogës”.

Narkotrafikanti kishte gjetur strehim në Kosovë ndërkohë që në Shqipëri u shpall në kërkim në gusht të këtij viti pasi nuk mundi te vihej dot në pranga gjatë operacionit “Flakë në det”.

Për arrestimin e tij ka njoftuar Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, i cili ka thënë se forca e ligjit do të godasë mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet drejtësisë.

“Përgëzoj Policinë e Shtetit, e cila në bashkëpunim me një agjenci të rëndësishme partnere dhe me strukturat ligjzbatuese të Republikës së Kosovës kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Gëzim Çela, një person i dënuar dhe i kërkuar prej shumë kohësh nga drejtësia në Shqipëri”, ka shkruar Balla në Facebook.

Ndërkaq, detaje për arrestimin e Çelës ka dhënë Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media ku është bërë e ditur se i njëjti është arrestuar në një fshat në Ferizaj.

“Policia e Kosovës, konkretisht zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN),  pas një pune intensive operative dhe në bashkëpunim e koordinim me autoritetet policore të Republikës së Shqipërisë, sot më 08.12.2023, në një fshat në Ferizaj, kanë arrestuar një të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se i dyshuari në momentin e arrestimit ishte në shoqëri me dy shtetase të Shqipërisë dhe një mashkulli nga Kosova.

“Hetuesit policorë nga DHTN-ja kanë arritur që sot rreth orës 17:55, të lokalizojnë vend-ndodhjen e të dyshuarit, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar. I dyshuari G.Ç., (mashkull shtetas i Shqipërisë), në momentin e arrestimit ishte në shoqëri me dy femra shtetase të Shqipërisë dhe një mashkulli nga Kosova”.

“Dyshohet se shtetasi i Kosovës, ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë, të dyshuarin nga Shqipëria. Arrestimi është kryer në fshatin Dardani të Ferizajt dhe hetuesit e anti-drogës gjatë operacionit të arrestimit të të dyshuarit janë mbështetur nga njësi tjera të PK-së”, bëhet e ditur mes tjerash.

Për arrestimin thuhet se janë njoftuar organet e drejtësisë dhe me urdhër nga prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda në Ferizaj, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit A.I., në një fshat të Vitisë.

“Gjatë kontrollit në shtëpi është gjetur dhe konfiskuar një AK-47 me 15 fishekë.  Po ashtu, lidhur me rastin është njoftuar edhe Njësia FAST-ILECU të cilët në koordinim me organet e drejtësisë, do të merren me procedura rreth rasteve kur kemi të bëjmë me arrestime të personave që janë në kërkim ndërkombëtar”, përfundon njoftimi i policisë. /Telegrafi/