I dënuari me burg të përjetshëm për rastin “Monstra” Afrim Ismailloviq, gjatë ditës së djeshme është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Këtë për AIM e ka konfirmuar avokati i tij, Besnik Berisha, i cili ka thënë se deri tek arrestimi i klientit të tij ka ardhur pas një aksidenti në trafik.
“Arrestimi i tij ka ndodhur dje në orët e pasdites. Ka qenë i rastësishëm si pasojë e një aksidenti trafiku. Përderisa ai është ftuar në stacionin policor për intervistim, sipas procedurave zyrtarët policorë kanë bërë verifikimin nëse i njëjti është i kërkuar edhe për ndonjë vepër tjetër penale, dhe i është shfaqur një urdhër arrest i vitit 2012/2013 i lëshuar nga Maqedonia e Vetiu”, ka thënë avokati Berisha.
Sipas tij, arrestimi është i paligjshëm, sepse për të njëjtën krim klienti i tij u dënua më herët dhe u la i lirë, ndërsa aktualisht po pret përfundimin e procedurave në lidhje me kërkesën e tij për azil në Kosovë.
Ndryshe, Gjykata Penale e Shkupit më 23 shkurt të këtij viti ka dënuar me burgim të përjetshëm Alil Demirin, si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve, më 12 prill 2012, pranë liqenit të Smillkovës, rreth 12 kilometra nga Shkupi.
Dy të akuzuarit e tjerë Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe nëntë vjet burgim. Një person tjetër, Sami Luta është liruar nga akuza në mungesë të provave.
Afrim Ismailoviq ka qenë në Kosovë, ku edhe ka nisur procedurat për të marrë të drejtën e azilit./Telegrafi/