Telegrafi

Arrestohet në Gjilan 49 vjeçari nga Maqedonia e Veriut, i njëjti ishte në kërkim nga Interpoli

Foto: Arkiv

Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit ka njoftuar se sot në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me  Prokurorinë Themelore në Gjilan ka kryer një operacion policor me ç‘rast është arrestuar një person me inicialet A.A  (1973 )  shqiptar shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

I njëjti është arrestuar në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga ana e Gjykatës Themelore në Gjilan bazuar në urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Interpoli.

“Pas arrestimit të njëjtit i është kontrolluar vendqëndrimi i përkohshëm në qytetin e Gjilanit dhe më pas i njëjti është sjellë në ambientet e Drejtorisë Rajonale në Gjilan dhe pas njoftimit mbi arsyen e arrestit dhe të drejtat e personit të arrestuar, i njëjti me vendim te prokurorit të shtetit nga prokuroria themelore në Gjilan është ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Rasti do ti referohet Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore në Gjilan për procedura të mëtutjeshme. /Telegrafi/