Një nga të arratisurit më të kërkuar lidhur me gjenocidin e Ruandës, të kryer më 1994 është arrestuar sot në Paris.
Felicien Kabuga, ishte akuzuar për pajisjen e ekstremistëve etnikë Hutu në gjenocidin 100-ditor ku u vranë më shumë se 800 mijë Tutsis etnikë dhe Hutus të moderuar, transmeton Telegrafi.
Për kapjen e 86-vjeçarit famëkeq, ishte ofruar shpërblimi prej 4.5 milionë eurove, por deri më tani, ishte e pamundur që dikush të binte në gjurmët e tij.
Kabuga, dikur një nga njerëzit më të pasur të Ruandës, po jetonte nën një identitet të rremë në pjesën veriore të kryeqytetit të Francës, thanë zyra e prokurorit publik dhe policia në një deklaratë të përbashkët.
Megjithëse qëndroi në arrati për 25 vite, agjentët policorë arritën ta kapnin, pasi hynë në shtëpinë e tij gjatë lindjes së diellit.
Kreu i agjencisë franceze për luftimin e krimeve kundër njerëzimit, Eric Emeraux tha se ndjekja ishte planifikuar ndryshe para dy muajsh, pas një organizimi të ri të sistemit të inteligjencës.
Ai ishte fshehur në periferi dhe shoqërohej me fëmijët e tij,ndërsa besohet se më parë kishte kaluar kohë në Gjermani, Belgjikë, Republikën Demokratike të Kongos, Kenia dhe Zvicër. /Telegrafi/